Shqip

PriFest emëron Valter Lucajn udhëheqës të Prishtina Kino Kabaret

20.05.2019

Pas Besnik Krapit, ekipit të PriFest i është bashkangjitur edhe Valter Lucaj, regjisor, për të marrë në udhëheqje Prishtina Kino Kabaret, që është pjesë e rrjetit të Kino Kabareve në botë.

Prishtina Kino Kabaret është aktivitet i PriFest që ka filluar në vitin 2016 dhe në kuadër të këtij aktiviteti PriFest fton aktorët, regjisorët, producentët, skenaristët, kamermanët dhe montazherët me apo pa përvojë, nga mbarë bota, që për një javë gjatë festivalit, të vizitojnë Prishtinën dhe të realizojnë projekte të shkurta filmike me ekipe xhirimi që organizohen në mënyrë spontane.

Ky koncept ka filluar si ide në Montreal, Quebek të Kanadasë në vitin 1999. Kino Kabaret është një lëvizje e realizimit të filmave që avokon produksionin e filmave të shkurtër me buxhet të vogël apo pa buxhet fare, duke bërë bashkë ekipe të vogla dhe një bashkëpunim pa karakter garues.Kino Kabaretë janë prezente në mbarë botën dhe kanë për qëllim që të promovojë bashkëpunimin dhe rrjetizimin në mes të filmbërësve nga mbarë bota.

Kino Kabaret në Prishtinë realizohet që nga viti 2016 në kuadër të PriFest, festivalit më të madh ndërkombëtar të filmit artistik në Kosovë.

Lidhur me angazhimin e Valter Lucaj si udhëheqës i Prishtina Kino Kabaret, Vjosa Berisha drejtoreshë e festivalit u shpreh: “Valteri është një regjisor shumë aktiv dhe me një përvojë të madhe në televizion dhe film. Ardhja e tij në ekipin e PriFest na gëzon shumë sepse edhe Prishtina Kino Kabaret është në fillimet e veta dhe ka nevojë për një udhëheqës që e njeh mirë punën e produksionit filmik. Valteri do të sjell një frymë të re me idetë e veta për ta zhvilluar më tutje këtë lëvizje në kuadër të PriFest. Koncepti i Kino Kabaret është shumë I përshtatshëm për t’u dhënë mundësi filmbërësve dhe aktorëve tanë që të bashkëpunojnë në realizime filmike me filmbërës të huaj, duke ju dhënë mundësi që të promovohen edhe jashtë kufijve të Kosovës përmes këtyre filmave. Prishtina Kino Kabaret poashtu ka rëndësi sepse realizimet filmike do të bëhen në Prishtinë dhe kjo e mundëson edhe promovimin e kryeqytetit tonë përmes filmit.”

“Jam entuziast dhe i gëzohem angazhimit tim në PriFest për të udhëhequr një aktivitet shumë tërheqës sic është Prishtina Kino Kabaret, sepse më jep mundësi mua dhe filmbërësve tanë që të takojmë dhe punojmë me shumë njerëz të botës së filmit që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës në Prishtinë, e aq më shumë më gëzon fakti kur bëhet fjalë për realizimin e filmave këtu në qytetin tim. Si udhëheqës i Prishtina Kino Kabaret do të sjell përvojën time që ky aktivitet të ketë të gjitha parametrat sic realizohen Kino Kabaretë në vendet tjera të botës dhe do të angazhohem që kjo mundësi t’i shërbejë edhe filmbërësve dhe aktorëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme.” – u shpreh Valter Lucaj lidhur me rolin e tij të ri në PriFest.

Aplikimi për të qenë pjesë e Prishtina Kino Kabaret do të hapet me datën 5 mars në faqen e PriFest www.prifest.org ku do të gjeni edhe kushtet e aplikimit. Pjesëmarrja në Prishtina Kino Kabaret është e hapur për të gjithë aktorët, regjisorët, producentët, skenaristët, kamermanët, tonistët dhe montazherët me apo pa përvojë, nga Kosova, regjioni dhe mbarë bota.

Data e edicionit të 11-të të PriFest dhe Kino Prishtina (Prishtina Kino Kabaret) janë 16-21 korrik 2019. Slogani ndërkombëtar i Kino Kabaret është “Make your mov(i)e” ndërsa festivali vazhdon të ketë slloganin e vet të njohur ndër vite:

Friendship. Forever. PriFest.