Shqip

PRIFORUM SHPALL PROJEKTET E PËRZGJEDHURA PËR GARËN BEST PITCH

22.06.2018

Edicioni i dhjetë i PriFest vazhdon traditën e organizimit të një mundësie unike për projekte filmike që janë në fazën e para produksionit. Kjo mundësi, vjen në kuadër të PriFORUM-it, përmes “Best Pitch Competition”.

Një numër relativisht i madh i projekteve ambicioze filmike nga regjioni (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje & Herzegovinë, Kroaci, Mal i Zi, Turqi, Rumani e Serbi) kanë aplikuar me projektet e tyre filmike në këtë garë, ku do të kenë mundësi të garojnë për çmime të ndryshme.

Projektet e përzgjedhura për këtë vit janë:

1. MONEY FOR THE FUNERAL nga Bullgaria, me Magdelena Ilieva si regjisore dhe Martichka Bozhilova si producente
2. BUNKER nga Maqedonia, me Marko Crnogorski si regjisor & producent dhe Jan Paunoska si skenarist
3.LOOKING FOR VENERA nga Kosova, me Norika Sefa si regjisore dhe Besnik Krapi si producent
4. IN VINO FEMINAS nga Maqedonia, me Goce Cvetanovski si regjisor dhe Bogdan Jonchevski si producent
5. THE WALNUT TREE nga Turqia, me Faysal Soysal si regjisor dhe Baris Yildirim si producent
6.TENANT nga Maqedonia, me Marko Gjokovik si regjisor dhe Angela Nestorovska & Vladimir Anastastov si producentë
7. ARNAUTISTAN NOIR nga Kosova, me Matko Bulent si regjisor & producent dhe Astrit Bytyçi si skenarist

Projektet e përzgjedhura do të përfitojnë nga trajnime të ndryshme si punëtoria 2-ditore për Zhvillim të Skenarit (Script Development Workshop), kryesuar nga ekspertja e famshme Clare Downs nga EAVE- European Audio-visual Enterprenurs.

Të gjitha projektet e selektuara për prezentim në Best Pitch gjithashtu do të përfitojnë mundësinë e konsulencës profesionale lidhur me aspektin financiar dhe strategjinëe ko-produksionit me një tjetër eksperte të fushës, Linda Beath poashtu nga EAVE.

Përsëri këtë vit, PriFest dhe PriFORUM do të bashkëpunojnë me EAVE European Audio-Visual Entrepreneurs, këtë rrjet prestigjioz të producentëve të filmave evropianë, ku falë bashkëpunimit me Qendrën Kinematografike të Kosovës një numër i producentëve do të marrin pjesë në PriFORUM.

Gara tradicionale e Best Pitch ka gjithashtu çmime të reja për projektet fituese këtë vit:

- Çmimi për Audio-post produksion në vlerën prej 7.000 euro në shërbime, dhënë nga kompania: Audio House, Maqedoni
- Gradim të ngjyrave në vlerën prej 10,000 euro në shërbime, dhënë nga kompania: My Country Production, Kosova
- Çmimi monetar tradicional për Best Pitch në vlerën prej 1.000 euro, që ndahet nga PriFest

Best Pitch është vetëm një nga disa aktivitet që në PriFest organizohen si pjesë e PriFORUM-it, që është një platformë rajonale e zhvillimit të industrisë së filmit.

Fatos Berisha, drejtori i PriFORUM-it dhe drejtor artistik i PriFest-it, u shpreh mjaft entuziast në lidhje me përzgjedhjet e bëra për edicionin e sivjetëm:

“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur jo vetëm nga numri i madh i aplikimeve, por edhe nga fakti që aplikuesit janë nga shumë shtete të Ballkanit. Producentët, regjisorët e skenaristët do të kenë mundësi të jenë pjesë e shumë trajnimeve dhe aktiviteteve gjatë PriFORUM-it. Ne do të mbajmë diskutime në tema të ndryshme me panelistët e zgjedhur, ndërsa gjithashtu do ta mbajmë edhe edicionin e tretë të Prishtina Rendezvous, e cila është fundjavë që i dedikohet distributorëve ndërkombëtar të filmit dhe agjentëve të shitjes nga regjioni ballkanik. Për më tepër, shumë producentë do ta vizitojnë PriFest-in dhe PriFORUM-in këtë vit, të cilët do të kenë mundësi ta shprehin interesin e tyre për bashkëprodhime filmike me Kosovën apo realizimin e projekteve të tyre në Kosovë. Si zakonisht, PriFORUM mundëson atë për të cilën industria filmike vendore ka nevojë më së shumti: promovim, prezentim, trajnime si dhe mundësi për bashkëpunim, bashkëprodhim e shitje të projekteve filmike. Ne jemi shumë të lumtur që mund t’i ofrojmë këto gjëra për filmbërësit tanë.”

PriFORUM-i dhe aktivitetet e tij –gara Best Pitch, Script Development Workshop, Prishtina Rendezvous dhe jo më pak i rëndësishëm Work in Progress, kanë shërbyer si katalizatorë për shumë projekte filmike regjionale, të cilat tashmë janë përfunduar dhe janë vlerësuar lartë në shumë festivale ndërkombëtare.

PriFORUM – Prishtina Film FORUM - është platforma rajonale e zhvillimit të industrisë së filmit dhe është komponentë përbërëse e PriFest.

PriFORUM këtë vit do të mbahet gjatë PriFest në datat 19-22 korrik, ndërkohë që datat e festivalit janë 17-22 Korrik.

Miqësi. Përgjithmonë. PriFest.