Programi i dokumentarëve sivjet me karakter garues – PriDocs i PriFest sjell dy premiera botërore në këtë kategori

14.07.2017

Pas gjashtë vitesh si program promovues PriDocs, programi dokumentarë i PriFest, në edicionin e 9-të këtë vit, vjen me karakter garues dhe në këtë program do të shfaqen gjithsej 16 filma në garë.

Dy premiera botërore, dy premiera ndërkombëtare, 6 regjionale, dhe 6 premiera kosovare përbëjnë programin dokumentar të PriFest 2017, dokumentarë që do të shfaqen para publikut Kosovar nga data 13 korrik e deri me 20 korrik. Filma vijnë nga vende të ndryshme të botë si Gjermania, Bosnia dhe Hercegovina, Spanja, Izraeli, Zvicra, Palestina, Çekia, Franca etj. dhe shumica e tyre do të prezentohen nga vet autorët e filmit që do të jenë prezent si mysafir në festival.

Filmat dokumentarë në këtë program premtojnë të zgjerojnë horizontet e audiencës së festivalit me tematika sociale që nisin nga lufta, politika dhe armët e deri tek mbrojtja e ambijentit, dashuria dhe sportet që thyejnë kufijtë e shteteve. Ky program pritet të sjell me të vërtetë shumë filma të veçantë, në mesin e tyre edhe filmin Ghost Hunting i cili shënoi suksesin e vet si fitues i çmimit kryesor për film dokumetar në Berlinale (Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Berlin) këtë vit, Crystal Bear - Glashutte Original Documentary Award.

I intriguar nga fantazmat që e ndjekin, regjisori palestinez Raed Andoni në filmin Ghost Hunting mbledh një grup eklektik të të ish-burgosurëve për të ndërtuar një kopje të Al-Moskobiya - qendrës kryesore për marrje në pyetje në burgun e Izraelit, ku vet ai ishte i burgosur në moshën 18 vjeçare. Nga kujtimet e pjesëshme, ditë pas dite, ata i japin formë qendrës së marrjes në pytje të cilën të gjithë e përjetuan, dhe në dokumentarin Ghost Hunting e rikrijojnë historinë e saj. Teksa muret e qelive rriten, ndjenjat lirohen.

Po aq i rëndësishëm është edhe filmi See you in Chechnya, në të cilin regjisori Alexander Kvatashidze në 68 minuta përmbledh pamje eksluzive dhe storiet rrënqethëse, të reporterëve të luftës famëkeqe në Çeçeni të cilët i takoi atje, pasi nisi rrugëtimin e tij i tërhequr nga dashuria ndaj një fotoreportereje të luftës. Njëri nga fotoreporterët për të cilin poashtu flet ky dokumentar është edhe i ndjeri Antonio Russo, që shumë nga ne e kujtojmë nga lufta në Kosovë ku ai ishte prezent.

Lista e plotë e dokumentarëve që do të shfaqen në këtë program janë:
1. FOOT FIST, Francë, Premierë Botërore
2. ENLIGHTENING, Spanjë Premierë Botërore
3. SARAJ’VO, Bosnia dhe Hercegovina, Premierë Ndërkombëtare
4. GUNS, Gjermani, Premierë Ndërkombëtare
5. THE ART OF MOVING, Gjermani, Premierë Regjionale
6. SEE YOU IN CHECHNYA, Francë, Premierë Regjionale
7. NEVERTHELESS, AL QUDS, Palestinë, Premierë Regjionale
8. GAZA SURF CLUB, Gjermani, Premierë Regjionale
9. SPIELFELD, Gjermani, Premierë Regjionale
10. GIRL POWER, Republikë Çeke, Premierë Regjionale
11. I AM NOT FROM HERE, Spanjë, Premierë Kosovare
12. BEN GURION, EPILOGUE Israel, Premierë Kosovare
13. THE WONDERFUL KINGDOM OF PAPA ALAEV, Israel, Premierë Kosovare
14. LIKE DEW IN THE SUN, Zvicër, Premierë Kosovare
15. GHOST HUNTING, Palestinë, Premierë Kosovare
16. BURNING ISSUE, Gjermani, Premierë Kosovare

Audienca e PriFest këtë vit nga data 13-20 Korrik, do të mund të shikojë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinema nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti”, në Kino ABC dhe në Kinemanë tjetër nën qiellin e hapur te Amfiteatri i Muzeut Kombëtar, derisa biletat do të kushtojnë 3€ dhe mund të blihen te biletorja e Teatrit Kombëtar dhe Kino ABC-së. Mundësi tjetër shumë e mirë për të apasionuarit ndaj filmit që të blejnë Kartelën “All in one” e cila ju mundëson që për 10€ të shikohen gjithsej 76 filma të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani online në info@prifilmfest.org apo të thërrisni në zyren e festivalit +38138221144.

Në ditët në vijim PriFest do të publikojë edhe titujt e filmave në programet tjera, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat, dhe të përgatitemi për një javë plot filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.