Shqip

PRIFEST DO TË MBAHET NË KORRIK

02.06.2020

 
Festivali Ndërkombëtar I filmit PriFest këtë vit shënon edicionin e 12të.

Pas pandemisë Covid19, që shkaktoi shumë festivale dhe aktivitete kulturore të anulohen, PriFest, duke u këshilluar dhe bashkërenduar me institucionet përgjegjëse, si dhe duke pritur protokolet e veprimit të mëtutjeshëm për respektimin e masave mbrojtëse, ka marrë vendim që t’a mbajë edicionin e 12të të festivalit siҫ është paraparë në datat 14-19 korrik.

Drejtoresha e festivalit Vjosa Berisha, spjegon më tutje për mënyrën se si është vendosur të mbahet ky festival: “ – Ky vit do të jetë shumë më ndryshe nga të tjerët edhe për festivalin PriFest, por ne kemi marrë vendim që t’a mbajmë këtë edicion sepse mendojmë që pas një mbyllje totale tremujore që pësuam si rrjedhojë e pandemisë, publiku ynë ka nevojë që t’I rikthehet jetës, kulturës dhe artit, e edhe ne si festival nuk mund të perballojmë një anulim komplet të edicionit të rradhës.

Është e kuptueshme se këtë vit shumë gjëra do të ndryshojnë, festivali është paraparë të mbahet komplet në ambiente të jashtme, kinema në qiellin e hapur, në 2-3 lokacione në qendër të Prishtines. Fatkeqsisht, nuk do të kemi shumë mysafirë të huaj që do të mund të udhëtojnë në Kosovë, andaj pjesa e platformës regjionale të industrisë së filmit – PriForum, do të mbahet online, në mënyrë që ekspertët e ndryshëm dhe mysafirët e huaj të jenë prezent, pa marrë parasysh situatën.

Poashtu ne kemi vendosur që këtë vit festivali t’i shfaq filmat komplet gratis për publikun, do t’i respektojmë masat e distancës sociale dhe do të perkujdesemi që të evitojmë ҫdo rrezik të përhapjes së pandemisë në hapsirat e festivalit.”

 

Festivali këtë vit do të ketë një numër më të vogël të filmave sepse shfaqjet e filmave kushtëzohen të jenë vetëm në mbrëmje pasi janë jashtë sallave. Gjatë ditës në hapsirën e festivalit para teatrit kombëtar do të realizohen biseda, debate, panele e kyҫje online me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtar, si dhe workshopet e PriForum të cilat mund të ndiqen online apo në hapsirën e festivalit.

PriFest tanimë ka hapur thirrjet për Best Pitch aplikim projektesh filmke, Prishtina Kino Kabaret, Green Film Project, etj.

Këtë vit ekipit të PriFest i janë bashkangjitur edhe një numër konsulentësh të huaj dhe vendor.

Claudia Landsberger, eksperte e industries së filmit me përvojë shumëvjeҫare nga Amsterdami, Holanda, do të udhëheq së bashku me Besnik Krapin PriForumin.

Jana Wolf, eksperte nga Gjermania e cila punon në European Film Market të Berlinales, është angazhuar që të punojë në pjesën e Prishtina Rendezvous.

Karin Dix, eksperte nga Gjermania, emër i njohur nga European Film Promotion, si udhëheqëse e Shooting Stars, ka marrë rolin e konsulentes për Kosovo Rising Stars, aktiviteti që u dedikohet aktorëve, të cilën do ta koordinojë së bashku me Vjosa Berishën.

Kurse More Raҫa, regjisore nga Kosova, është angazhuar që të udhëheq këtë vit Prishtina Kino Kabaret.

PriFest do të mbahet në data 14-19 korrik, kurse PriForum 17-19 korrik.

Vizitoni rrjetet tona sociale për të mos humbur informacionet lidhur me programin dhe aktivitetet e PriFest këtë vit.

Miqësi. Përgjithmonë. PriFest

 

Për më shumë informacione na kontaktoni në info@prifilmfest.org apo në rrjetet sociale.